Skuadra e Barcelonës i është hakmarrë të vetmes skuadër e cila e ka mposhtur këtë edicion, asaj të Numacias, duke e mposhtur në Camp Nou me rezultat 4-1.
Pjesa e parë e takimit ishte e plogësht sa i përket golave, pasi rrjetat heshtën në të dyja anët, por kështu nuk ndodhi në pjesën e dytë.
Në minutat e para të pjesës së dytë (49’), pas një depërtimi të Alves, superylli argjentinas Lionel Messi vetëm e preku topin lehtë sa për ta devijuar në rrjet duke hapur serinë e golave.
Vendasit dyfishuan epërsinë pas katër minutash (53’), këtë radhë ishte Samuel Eto’o lojtari i cili e mposhti portierin Juan Pablo. Në të dy rastet e golave, lojtarët e Barcës u gjetën në pozicione të dyshimta, sidomos Alves kur e pranoi topin.
Mysafirët ngushtuan epërsinë në 2-1 me një gol të Javier Barkeros (61’) të shënuar nga gjuajtja e lirë.
Në njëzet minutat të fundit të takimit (71’), Thierry Henry riktheu avantazhin e dyfishtë të katalunasve duke shënuar golin e tretë, pasi Messi e grumbulloi ‘gjithë’ skuadrën e Numancias rreth tij dhe pasoi te francezi, i cili nuk hezitoi të shënonte.
Lojtari më i mirë në botë këtë sezon, Lionel Messi, shënoi golin e dytë personal dhe të katërtin për Barcën, pasi në stilin e tij kaloi gjithë mbrojtjen kundërshtare (76’).
Argjentinasi nuk pati fatin ta kompletonte hat-trickun e tij, pasi në minutën e 87-të traversa ia mohoi golin.
Me këtë fitore Barcelona shmanget në pesëmbëdhjetë pikë diferencë nga përcjellësit e saj, Real Madrid dhe Sevilla, të cilët të dielën zhvillojnë ndeshjet e javës së njëzet kundër Deportivo La Corunas dhe Racing Santanderit, respektivisht.