Shtypi spanjoll thotë se superylli brazilian Kaka ndoshta e ka refuzuar Manchester Cityn, mirëpo ai është në pritje të ofertës nga gjigantët spanjollë të Real Madridit.
Derisa Milani po mundohet ta qetësojë situatën dhe të fajësojë të gjithë pos vetes në lidhje me dështimin e transferimit të Kaka te Manchester City, gazetat spanjolle “Marca” dhe “AS” shkruajnë se tash më shumë se kurrë Mbretërit janë afër transferimit të brazilianit.
Të dy gazetat njoftojnë se Kaka është hidhëruar me drejtuesit e Milanit, të cilët dëshironin ta shesin atë te City dhe i ka prishur raportet me hierarkinë e Rossonerëve, prandaj dëshiron të largohet.
“Marca” thotë se Los Merengues duhet të tentojnë tash ta blejnë ish-lojtarin më të mirë në botë, sepse aktualisht mund ta transferojnë për 80 milionë euro, ndërsa në verë ata duhet të paguajnë 20 milionë më shumë.
“AS” nuk i pyetur direkt drejtuesit e Milanit në lidhje me këtë gjë, mirëpo e ka cituar zëvendëspresidentin e Milanit, Adriano Galliani, të ketë thënë: “Nuk mund të flas për transferime, po ashtu nuk mund të flas as për Real Madridin”.