Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës përkrahu të hënën vendimin e presidentit të Republikës, Fatmir Sejdiu, për kohën e mbajtjes së zgjedhjeve nacionale në vend.
Kryesia e LDK-së, siç thuhet në një komunikatë për media, konsideron se presidenti Sejdiu këtë vendim e ka marrë duke u mbështetur në përgjegjësitë e tij kushtetuese si president, si dhe në pajtueshmëri të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në aktet e tjera juridike të saj.
"Ne mbështesim vendimin e presidentit Sejdiu për kohën e mbajtjes së zgjedhjeve të ardhshme nacionale, sepse konsiderojmë se përfaqësuesit e zgjedhur nga vota e lirë e qytetarëve të Kosovës kanë mandat katërvjeçar", tha nënkryetari i parë i LDK-së, Eqrem Kryeziu.
"Ne mbrojmë parimin për cikël normal katërvjeçar të të zgjedhurve në institucionet qendrore të Kosovës", tha në fund Kryeziu.
Kryesia e LDK-së, po ashtu ka bërë të ditur se çmon vlerësimin e përfaqësuesit civil ndërkombëtar, Piter Feith, për vendimin e presidentit Sejdiu si vendim i cili buron nga interpretimi i drejtë i Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe i Propozimit Gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisaari.