Pa dyshim se kur flitet për trajnerët e futbollit të Kosovës, të cilët i kanë dhënë shumë futbollit të Kosovës, por edhe që janë stolisur me tituj e trofe, nuk ka si të mos përmendet emri i Ajet Shoshollit, i cili me KF”Prishtina” fitoi disa herë titullin gjatë këtyre viteve. Kontributi i këtij trajneri është veçmas në periudhën e mvetësimit të futbollit të Kosovës. Aktualisht z. Shosholli është drejtor i shkollës së futbollit në klubin Prishtina, prandaj ky ishte shkas që të bashkëbisedojmë me te për të gjitha nga pak. Albania-sport: Z. Shosholli, a mund të na flisni pakëz për shkollën e futbollit të klubit Prishtina? A.Shosholli: Po ka një kohë të gjatë që shkolla e futbollit të klubit Prishtina funksionon si shkollë me të gjitha elementet e një shkolle bashkëkohore. Mund të them se shkolla e futbollit e KF”Prishtina” është ndër shkollat më të përgatitura në Kosovë në të gjitha aspektet dhe posedon një kuadër të shkolluar, i cili garanton punë profesionale me grup-moshat e reja. Ne jemi e vetmja shkollë që kemi grup-moshën 6 deri 8 vjeç, moshë kjo që nuk ekziston në shkollat tjera, ndërsa kjo moshë kërkon më së shumti kujdes. Momentalisht në të gjitha grup-moshat kemi mbi 280 vijues, ndërsa punojnë pesë trajnerë. Kërkesat e prindërve dh e futbollistëve të rinj për të vijuar në shkollën tonë është e madhe, andaj ne patjetër do të shtojmë edhe numrin e trajnerëve. Jemi duke formuar Këshillin e prindërve, kemi fizioterapeutin e mjekun, por na mbetet të sigurojmë edhe ekspertët tjerë, si psikologun, stomatologun e të tjerë. Albania-sport: Futbollistët e rinj në tri grup-mosha janë duke bërë gra në Lidhjen rajonale të Prishtinës. Sa jeni të kënaqur me sukseset në stinorin vjeshtor? A.Shosholli: Po, tash e disa vjet Lidhja rajonale natyrisht në bashkëpunim me FFK-në organizon kampionatin e grup-moshave të reja dhe ne marrim pjesë më tri grup-mosha. Jemi në pozitën e dytë në konkurrencën e fatosave, në pozitën e parë në konkurrencën e pionierëve dhe po ashtu në pozitën e dytë në konkurrencën e kadetëve. Ne besojmë se deri në fund të kampionatit do të jemi në pozitat e para që na mundëson që në Play-off të luftojmë për titujt e kampionit të Kosovës në grup-mosha. Siç ju thashë kemi kuadër profesional e kjo garanton sukses të plotë. Albania-sport: Ju para disa javëve keni pasur dy testime nëse mund të themi kështu ndërkombëtare në ndeshjet me Rabotniçki-Kometalin kampionin e Maqedonisë. Sa jeni të kënaqur me këtë sprovë? A.Shosholli: Padyshim se ne të gjithë jemi të kënaqur me atë çka kemi treguar në ndeshjet në Prishtinë dhe në ndeshjet e kthimit në Shkup. Edhe ju vet keni qenë dëshmitarë se në ndeshjet e para në Prishtinë kemi shënuar fitore në tri grup-moshat, ndërsa në ndeshjet e kthimit, fatosat dhe kadetët luajtën baras, ndërsa pionierët shënuan fitore madhe me të njëjtin rezultat 3:0. Jo vetëm ne, por edhe maqedonasit u shprehen se ishim më të mirë dhe kishim cilësi më të mirë. Albania-sport: Z. Shosholli, a mendoni se në Kosovë po punohet mjaft me grup-moshat e reja? A.Shosholli: Të ju them të drejtën ne në klubin Prishtina, i kemi dhënë shumë rëndësi grup-moshave të reja, por kjo nuk po ngjanë edhe në shkollat tjera. Këtu mungon përkrahja jo vetëm nga drejtuesit e klubeve që mjerisht janë shumë të dhënë pas ekipit të parë, por jo edhe nga ardhmënia e futbollit. Pra, mungon edhe kujdesi apo edhe një farë inferioriteti edhe nga ana e FFK-së. Por, unë them, nëse dëshirojmë që të kemi një të ardhme atëherë duhet më shumë të punojmë me grup-moshat reja. Po ashtu, as mediat nuk e përcjellin punën e grup-moshave të reja, përveç të një gazete ditore, të tjerat bëhen sikur nuk ka fare futboll të grup-moshave të reja. Me një fjalë shkollat e futbollit janë fidanishte e futbollistëve që sigurojnë ardhmërinë e futbollit të një vendi. Albania-sport: Dhe për fund... A.Shosholli: Ju bëjë thirrje të gjithëve që merren me futboll dhe janë të kyçur në çfarëdo mënyre, të investojnë,të mbështesin dhe të nxisin punën me futbollistët e rinj. Vetëm kështu mund të jemi të sigurt për të ardhmen e futbollit. Për Albania-sport bisedoi: Fazli BERISHA