Një papagall ka arritur që të shkaktojë kaos të vërtetë gjatë një ndeshje të futbollit në Angli.
Papagalli, Me-Tu ishte duke shoqëruar pronaren e tij Irene Kerrigan në një ndeshje në mes dy klubeve angleze të futbollit - Hertfordshire Rangers dhe Hatfield Town.
Arbitri 45-vjeçar i ndeshjes Gary Bailey, ka thënë për gazetën Daily Mirror: "Nuk kam parë ndonjëherë gjëra si kjo. Kjo grua po qëndronte pranë vijës anësore dhe papritmas e nxori këtë papagall të madh të gjelbër”.
"Çdo herë që unë fishkëlleja zogu e lëshonte po të njëjtin zë. Të gjithë lojtarët ndaleshin dhe unë u desh që t’i lut përgjegjësit të largojnë papagallin", ka shtuar ai.
"Nuk më ka ndodhë asnjëherë më parë që të largojë nga fusha një papagall", ka përfunduar arbitri.
Përveç fishkëllimës së tij, Me-Tu gjithashtu thërriste “bukuroshë” lojtarët nga kafazi i tij në vijën anësore.
"Ai e adhuron futbollin dhe do ta sjell sërish në ndeshjet tjera", ka thënë pronarja.