Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë publik emrin e trajnerit të ri të kombëtares shqiptare dhe ai do të jetë holandezi Arie Haan. Lajmin e ka bërë publik presidenti i FSHF, Armando Duka, pas një mbledhje me Komitetin Ekzekutiv.
Arie Haan do të jetë pasardhës i kroatit Oto Bariç, i cili dha dorëheqje muajin e kaluar pas dy humbjeve dëshpëruese të kombëtares kuqezi, ndaj Bjellorusisë dhe Rumanisë.
Holandezi do të udhëtojë në Tiranë në ditët e para të vitit të ri, për të nënshkruar një kontratë dyvjeçare. Siç shkruan Balkanweb, Arie Haan është pajtuar për një shumë prej 220 mijë eurosh në edicion, një shifër që nuk ndryshon shumë nga ajo e ish-trajnerit kroat.
59-vjeçari ka pasur një karrierë të pasur futbollistike, mes tjerave edhe me kombëtaren holandeze, në vitet 70-ta. Ai ka luajtur në shumë skuadra përfshirë këtu Ajax, Anderlecht, Standard dhe PSV Eindhoven. Haan ka fituar tre herë Kupën e Kampionëve me Ajaxin, në vitet 1971-1973, ndërsa dy herë me Anderlechtin.
Haan ka qenë trajner edhe i skuadrave Anderlecht, Stuttgart, Feyenoord, si dhe i kombëtareve të Kinës dhe Kamerunit