Nuk ka ndryshuar fare nga koha kur u shpall ‘Miss Kosova 1996’. Diellza Kolgeci vazhdon të mbetet po aq e bukur sa 13 vjet më parë, po aq e dashur për publikun, megjithëse ka ruajtur një pamje thuajse konstante.
Intervistoi: Gazmend Kajtazi
Organizimi i të parit spektakël bukurie në Kosovë ishte një nga ngjarjet më të bujshme të vendit tonë. Po, po! Në atë kohë, organizimi i “Miss Kosovares” bëri vërtet bujë. Ajka e spektaklit padiskutim mbajti emrin e Diellzës. Veshur me një palë rroba banje nga më modestet, ajo shfaqi elegancë, brishtësi, thjeshtësi dhe druajtjen e një vajze që ndoshta kishte guxuar më shumë se sa duhet. Guximi i hapur, fshehur brenda një kostumi banje… nuk i doli keq. Ajo u shndërrua menjëherë në të parin simbol bukurie të femrës kosovare, si dhe pati shumë... shumë favore të tjera, që sot do t’i kishte zili çdo Miss.