Mesfushori portugez është riaftësuar, ndërsa francezi rikthehet në fund të janarit me Juven
Vijnë jo vetëm nga sukseset në fushë lajmet e mira për Juventusin e
Klaudio Ranierit. Gjatë stërvitjes së djeshme në mëngjes, si Tiago
ashtu edhe Trezege, janë stërvitur së bashku me pjesën tjetër të grupit.
Portugezi është tashmë i riaftësuar plotësisht, ndërsa “bomberi”
francez, i parë pasdite në Peruxhia për kontroll mjekësor, ku kanë
dhënë përgjigje pozitive, duhet të kthehet i gatshëm në fund të
janarit. Së bashku me sulmuesin, vizita mjekësore kanë bërë edhe të
dëmtuarit e tjerë bardhezinj: Zebina, Knjezeviç dhe Salihamixhiç.
Për dy të parët, rikthimi në fushë është parashikuar për në fund të
shkurtit, ndërsa për anësorin boshnjak, që ka sërish probleme në
“Thembrën e Akilit”, pas miqësore në Mesinë me Monakonë, i është
përpiluar një program specifik, të cilin duhet ta respektojë.
Është përmirësuar edhe gjendja e Kielinit, Iakuintës dhe
Kamoranezit, që shumë shpejt do të kthehen të gatshëm për Ranierin. Për
të vazhduar ndjekjen ndaj Interit, Juventusi mund të besoje, pra, te
shumë lojtarë të rëndësishëm, që janë pranë riaftësimit.
Ndërkohë, me rikthimin e Bufonit, ndoshta që nesër në kupë, porta e
Juves do t’i dorëzohet “të zotit”. Tani që është portieri, i cili ka
pësuar më pak gola deri tani në kampionat, Maninger mund të kthehet në
stol. Të dielën kundër Sienës, austriaku ishte në një ditë të mirë dhe
pati shumë kënaqësi.
Ishte vendimtar dhe me vetëm 10 gola, të pësuar në 15 ndeshje, ka
thyer rekordin e interistit Hulio Sezar: një mesatare prej 0,66 gola
për ndeshje. Asnjë portier në Serinë A nuk ka bërë më mirë se Maningeri.
Pikërisht që nesër, në Kupën e Italisë, do të kthehet Xhixhi Bufon.
Austriaku qesh: “Sigurisht që më vjen pak keq, sepse të gjithë duan të
luajnë, por jam i lumtur për Xhixhin, jam krenar që punoj me portierin
më të mirë në botë dhe që luaj me fanellën e Juventusit”.