“Të mposhtim Fiorentinën e pastaj… drejt Interit. Amauri mendon të hedhë hapat me radhë, për të realizuar me sukses ambicien që ka Juventusi përgjatë këtij sezoni. Para së gjithash është dueli me Fiorentinën, ndaj të cilës bardhezinjtë do të luajnë të shtunën në mbrëmje për kampionat. “Është një ndeshje e vështirë – shprehet sulmuesi brazilian. - Shpresojmë të bëjmë një paraqitje shumë më të mirë sesa kemi bërë deri tani”. Më pas do të jetë radha për të sulmuar titullin dhe kampionët në fuqi të Interit… “E rëndësishme është të mos dorëzohemi dhe të kërkojmë të gabojmë sa më pak të jetë e mundur. Jemi vetëm tri pikë prapa, gjithçka mund të ndodhë ende. Ndërkaq, në pjesën e parë të sezonit kemi treguar se jemi në garë dhe që duam të kthehemi të jemi Juventusi, i njohur gjithmonë si mbret i Italisë”.