Braziliani Felipe Massa pati nderin të jetë vozitësi i parë i kokëkuqes që e ka testuar bolidin e ri të emëruar F60. Nënkampioni aktual i garave në Formula 1 për disa orë e testoi këtë bolid në shtegun Mugello, duke deklaruar se është mjaft i kënaqur pas ditës së parë të provave zyrtare. Massa i cili edicionin e kaluar kishte triumfuar në gjashtë gara i deklaroi medieve të ndryshme botërore se dallimi i kësaj makine me atë të vitit të shkuar është mjaft i theksuar. Përkundër faktit se është më i lirë në çmim, ky bolid është më spektakolar, ndot më pak ajrin dhe është shumë më i shpejtë që siguron lehtësi më të madhe në parakalime, ka deklaruar braziliani, që këtë edicion llogaritet në mesin e favoritëve për titull. Në kompleks makina ka një pjesë të përbërë nga fibra karboni, pjesa e parme apo siç quhet ndryshe "hunda" e makinës, është pak më e ulët dhe më e mprehtë, janë shtuar disa devijues ajri në pjesën e përparme dhe janë modifikuar pasqyrat, tashmë qëndrojnë më pas dhe në pjesën e jashtme të bolidit. Marshi do të jetë gjysmë automatik me kontroll elektronik por ndryshimet e marsheve janë me të shpejta. Edhe pesha e makinës mbetet brenda normave, 605 kg, aq sa edhe makina e sezonit të shkuar. Revolucionar është edhe timoni i makinës së re Ferrari, i cili ka 6 rregullatorë në pjesën e përparme, për t'iu përshtatur kërkesave mekanike të kësaj makine Më 2009 do t'i rikthehen kampionatit botëror të Formulës 1 edhe gomat slik. Ky tip gomash është pa kanale dhe siguron një shpejtësi më të madhe. Dallimi tjetër është se kokëkuqja në sezonin e ri nuk do të ketë më numrat 1-2, të cilët do t'i kalojnë makinave të skuadrës McLaren Mercedes, për vozitësit Hamilton dhe Kovalainen, ndërsa numrat 3-4 janë të rezervuar për Raikkonen dhe Masan.