Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se ka një plan strategjik prej tri drejtimesh, me të cilin synon ta kthejë normalitetin në Mitrovicë. Menaxhimi i situatës, bashkëpunimi me ndërkombëtarët, përfshirë edhe fushën e sigurisë dhe bashkëpunimin me popullatën, paraqiten si tri orientimet kryesore të Qeverisë, me të cilat synohet kthimi i normalitetit në këtë pjesë të Kosovës.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë për Radion Evropa e Lirë se një qasje e tillë do të mundësojë normalizimin e gjendjes dhe fillimin e kthimit të banorëve të zhvendosur nga veriu në jug dhe anasjelltas. Të gjitha veprimet në Mitrovicë, sipas Kuçit, janë të koordinuara edhe me misionin e EULEX-it, vendet e Quint-it dhe praninë ushtarake të KFOR-it.
Këto orientime të Qeverisë përshëndeten nga partia opozitare Aleanca Kosova e Re. Por, sipas nënkryetarit të kësaj partie, Ibrahim Gashi, këto tri qasje të Qeverisë nuk mjaftojnë që të kthejnë normalitetin dhe bashkimin e qytetit të ndarë.
Veprimet e fundit të grupeve të serbëve dhe sulmet ndaj pronave të shqiptarëve në veri, sipas Ibrahim Gashit, do të duhej të ishin si indikacione të mjaftueshme që Qeveria të ndërhynte edhe me masa të shtuara të sigurisë dhe me një prani më të madhe të policisë në veri, për t’i izoluar strukturat paralele.
Faktori policor shihet vetëm si një nga faktorët e shumtë që duhet ndërmarrë në Mitrovicë, sipas partisë tjetër opozitare - Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Avni Arifi, nga Kryesia e AAK-së, thotë se propozimi i kësaj partie që në pjesën veriore të hapen disa nënstacione policore, do të duhej të përcillej edhe me shumë hapa që shkojnë drejt normalizimit të gjendjes në veri.
Zgjidhja e problemit të Mitrovicës parashihet edhe ma pakon e Ahtisaarit, sipas modelit një qytet me dy komuna - ajo në jug e kontrolluar nga shqiptarët dhe në veri e kontrolluar nga serbët. Por, as ky propozim nuk është përfillur nga përfaqësuesit serbë, kështu që status quo-ja në këtë qytet pret hapat tjerë që Qeveria dhe misioni civil ndërkombëtar eventualisht do t’i ndërmerrnin atje, në përpjekje të normalizimit të gjendjes, e më pas edhe bashkimit të qytetit