Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, është i nevrikosur në lidhje me spekulimet sipas të cilave Real Madridi është duke kërkuar ta transferojë Lionel Messin.
“Kjo është një fushatë për ta destabilizuar Barcelonën. Ata po mundohen t’i fshehin problemet e tyre dhe të krijojnë probleme te ne. Messi është i lumtur këtu, ndërsa atë e tregon gjatë secilës lojë”, ka thënë Laporta pas ndeshjes kundër Numancias.
Nga ana tjetër vetë argjentinasi ka mohuar spekulimet për ndonjë largim drejt Bernabeut.
“Nuk e di se nga vinë të gjitha këto spekulime. Unë asnjëherë nuk kam dashur të largohem nga kjo skuadër. Nëse ndonjëherë largohem kjo do të jetë për arsyen se skuadra nuk më dëshiron më, jo për faktin se unë dëshiroj të largohem”.
“Barcelona gjithmonë më ka trajtuar mua dhe familjen time në mënyrën më të jashtëzakonshme, që nga koha kur kam qenë fëmijë. Prandaj qëndrimi im te Barcelona është mënyra me të cilën unë i falënderoj ata për atë që kanë bërë për mua”, ka thënë Messi për Barca TV.