Barça kryeson kampionatin me 12 pikë avantazh dhe është pretendente në Champions dhe Kupën e Mbretit
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, mendon se skuadra e Pep
Guardiolës është në rrugën e duhur për t’u bërë pjesë e legjendës.
Barça vazhdoi serinë mbresëlënëse në këtë sezon, me fitoren 3-2 ndaj
Osasunës, duke u shkëputur në krye të Primera Divizionit, me 12 pikë më
shumë se ndjekësit më të afërt, Reali i Madridit dhe Sevilja.
Gjithashtu, katalanasit janë një hap larg çerekfinaleve të Kupës së
Mbretit, pasi kanë fituar 3-1 në fushën e Atletikos së Madridit, në
ndeshjen e parë. Ndërkohë, në 1/8-t e Ligës së Kampioneve, Barcelona do
të ketë përballë Lionin.
Nga 29 ndeshjet zyrtare me Guardiolën si trajner, Barça ka fituar
23. Ish-mesfushori zuri vendin e trajnerit Frenk Rajkard, i cili doli
duarbosh në dy sezonet e fundit, pasi më parë kishte fituar titullin
dhe Ligën e Kampioneve, brenda një sezoni.
Barcelona e sivjetshme mund të shkojë edhe më tej, duke fituar Kupën
e Mbretit, për të arritur “tripletën”, për herë të parë në historinë
108- vjeçare të një prej klubeve më të mëdha të Europës. Kjo e shtyu
Laportën që të ëndërrojë me këtë grup futbollistësh.
Presidenti tha për gazetën spanjolle “El Mundo Deportivo”: “Me këto
që ka arritur deri tani, kjo skuadër është e destinuar të jetë më e
mira e të gjitha kohërave, por kjo do të vendoset vetëm nga rezultatet.
Ne kemi shpresa të mëdha para çdo ndeshjeje, por gjithashtu duhet të
tregohemi të kujdesshëm. Skuadra nuk po e humbet përqendrimin dhe
gjithë pjesëtarët e klubit po bëjnë punë të mirë. Duhet të vazhdojmë
kështu, sepse mund të futemi në histori”.
Në lidhje me çmimin e FIFA-s, “Futbollisti i Vitit”, fituar nga
Kristiano Ronaldo, Laporta tha se Lionel Mesi dhe Ksavi Hernandez nuk
kishin asgjë më pak se portugezi i Mançesterit. Mesi dhe Ksavi shënuan
dy herë në dhjetë minutat e fundit, “duke vulosur” fitoren në Osasunë.
“Njëri nga ata të dy meritonte të kthehej në Barcelonë me trofeun, -
tha Laporta.
- Më vjen mirë që janë të shumtë ata që mendojnë si unë. Mesi është
lojtari individual më i mirë në botë, ndërsa Ksavi është lojtari më i
mirë në botë, në funksion të ekipit. Mesi ka një talent të rrallë,
ndërsa Ksavi është shembulli se si mund të rritet një futbollist te
Barcelona, duke e nisur nga 12 vjeç.”
Ndërsa Lionel Mesi, në lidhje me çmimin e FIFA-s, tha: “Unë dhe
Ksavi ishim ndërmjet pesë më të mirët dhe shkuam në ceremoni për t’u
çlodhur. Rëndësi ka që Barcelona të fitojë dhe gjërat të shkojnë mirë”.
Në mesjavë, të besuarit e Guardiolës do të luajnë ndaj Atletikos së
Madridit në “Kamp Nou”, për ndeshjet e kthimit në 1/8-t e finaleve të
Kupës së Mbretit.