Sipas një raporti më të ri, Milani kryeson me numrin e tifozëve të cilët i përcjellin ndeshjet në San Siro, ndërsa arsyeja kryesore supozohet të jetë ardhja e Ronaldinhos.
Krahasuar me vitin e kaluar, numri i tifozëve të cilët ndjekin ndeshjet e Serie A nëpër stadiume është rritur paksa në krahasim me vitin e kaluar. Derisa vitin e kaluar mesatarja për një ndeshje ishte 24. 470, këtë vit ky numër është rritur në 24.895.
Qendra për studimin e Ligës italiane të futbollit ka publikuar shifrat me numrin vizitorëve të cilët i ndjekin skuadrat italiane, ndërsa Milani gjendet në vendin e parë.
Numri mesatar i tifozëve të cilët i përcjellin ndeshjet e Milanit në San Siro është 60.067 për ndeshje.
Në vendin e dytë është Interi me 51.637 për ndeshje, ndërsa vendin e tretë e zë Roma me 41.225 tifozë të cilët e përcjellin mesatarisht çdo ndeshje.
Befasia e Serie A, Napoli, është renditur në vendin e katërt me 38.658, ndërsa Lazio, tërheq 36.407 tifozë për ndeshje duke mbyllur top-pesëshin.
Juventusi bën pjesë në grupin e skuadrave të cilat më pak përcillen në stadiume, pasi mesatarja e pjesëmarrjes së tifozëve në Stadio Olimpico të Torinos është 22.251. Megjithatë duhet theksuar se kapaciteti maksimal i stadiumit në Torino është për 25.000 tifozë, derisa stadiumet tjera kanë nga 70.000 deri në 90.000 ulëse.
Më së pakti përcillet Siena me vetëm 10.630 tifozë të cilët paraqiten mesatarisht në stadium për ta ndjekur skuadrën e tyre të zemrës.