Skuadra e Interit ka shënuar fitore me rezultat 2-1 në çerekfinalen e Kupës së Italisë kundër Romës duke u kualifikuar në këtë mënyrë në gjysmëfinale ku do të ndeshet me Sampdorian, e cila të mërkurën e eliminoi Udinesen.
Edhe kampionët në fuqi të Serie A edhe kampionët në fuqi të Coppa Italia, e filluan takimin me formacionet e tyre më të mira të mundshme. Te Roma mungoi kapiteni Francesco Totti, përkundër faktit që shpresohej për një rikthim sensacional të tij, po ashtu mungoi edh portieri kryesor Doni.
Zikaltrit kaluan në epërsi që në minutën e dhjetë të takimit me anë të sulmuesit brazilian Adriano, i cili shfrytëzoi gabimin e mbrojtjes romake për ta mposhtur portierin Arthur.
Verdhekuqtë arritën ta barazojnë rezultatin në pjesën e dytë (61’) me një supergol të Rodrigo Taddeit, mirëpo barazimi zgjati vetëm një minutë.
Nerazzurët krijuan sërish epërsinë me anë të sulmuesit Zlatan Ibrahimovic (62’), i cili shfrytëzoi në mënyrën më të mirë topin e kthyer nga portieri Arthur pas goditjes së Samuel, dhe shënoi golin e fitores për Interin. Nga përsëritjet e xhirimit u tregua se Samuel kishte qenë në pozitë jashtë lojë në momentin e harkimit të Cambiassos nga gjuajtja e lirë, mirëpo vendimi i gjyqtarit është përfundimtar.