Reshjet e bollshme të ditëve të fundit i lejojnë Korporatës Energjetike Shqiptare të eksportojë tepricat e energjisë së prodhuar në HEC-et e Shqipërisë. Pavarësisht kushteve të mira hidrike, Shqipëria është e detyruar të importojë energji nga jashtë, për të respektuar kontratat me kompanitë furnizuese të energjisë elektrike, njoftojnë mediat shqiptare.
Nga data 22 janar pritet fillimi i eksportit të energjisë elektrike drejt fqiut jugor, Greqisë. Sipas Drejtorit të Divizionit të Prodhimit Muharrem Stojku, parashikohet që duke filluar nga dita e enjte, Shqipëria do t'i shesë Greqisë rreth 2 milionë kilovat/orë në ditë.
Eksporti i energjisë elektrike parashikohet të shtrihet përgjatë një periudhë kohore prej një muaj e gjysmë. Ndryshe nga herët e tjera, energjia e destinuar për në Greqi do të shitet sipas çmimeve në bursën e Athinës dhe parashikohet që nga totali të zbritet ajo pjesë e energjisë së humbur në rrjetin e transmetimit. Reshjet e stinës, të cilat nuk kanë reshtur prej disa ditësh, i kanë bërë më optimistë treguesit në basenet e HEC-eve të vendit.
Drejtuesit e KESH-it bëjnë të ditur se, fillimi i eksportit të energjisë u bë i mundur si pasojë e përmirësimit të ndjeshëm të situatës hidrike në vend, për shkak të reshjeve të bollshme. Kështu, falë reshjeve të ditëve të fundit, niveli i basenit të Hidrocentralit të Fierzës ka arritur në 284 metra.
Sipas të treguesve të këtij HEC-i, niveli aktual është vetëm 6 metra poshtë kufirit maksimal, tejkalimi i të cilit do të detyronte drejtuesit të urdhëronin hapjen e portave, pasi deri tani prurjet e lumit Drin llogariten të jenë si rrallë ndonjëherë, rreth 240 metër kub për sekondë.
Sipas të dhënave nga OSSH-ja, në një ditë normale dhe me kushte atmosferike mesatare, në Shqipëri konsumohen rreth 22 milionë kilovat/orë energji elektrike.
Për momentin, kapaciteti total i prodhimit të energjisë llogaritet të jetë rreth 16 milionë kilovat/orë në ditë, ndërsa pjesa tjetër plotësohet duke importuar energji nga jashtë, sipas kontratave të nënshkruara midis METE-s dhe kompanive që operojnë në këtë treg