“Ne prisnim përkushtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën pa marrë parasysh zhvillimet", tha për BBC-në Muhamet Hamiti, i ngarkuar me punë i Republikës së Kosovës në Londër, duke iu referuar ngjarjeve të 11 shtatorit 2001 dhe "luftës kundër terrorit" që u bë prioritet i Administratës Bush në atë kohë.
Gjatë një emisioni debatues, "Forumi" të BBC-së në shqip, emetuar të martën, ku u diskutua për trashëgiminë e Bushit dhe pritmëritë nga Presidenca e re amerikane, udhëhequr nga Obama, Hamiti deklaroi se dy vjet pas luftës së Kosovës, dy vjet të lirisë së Kosovës, "ishte kohë kur ne prisnim të kalonim fazën kalimtare, për të shkuar drejt pavarësisë”.
“Natyrisht, e prisnim dhe e donim edhe përkushtimin e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ne prisnim që SHBA-të, pa marrë parasysh angazhimet që do të kishin me luftën kundër terrorit dhe angazhimet e tjera që do të vinin më vonë, do të kishin gjithmonë edhe energjinë për t’u marrë me çështjen e Kosovës".
Diplomati i Kosovës në Londër theksoi se "gjatë mandatit të parë Administrata amerikane nuk e kishte kohën për t'u marrë totalisht, në mënyrë intenstive, edhe me çështjen e Kosovës".
Më tej ai tha se angazhimi amerikan, siç u pa më vonë, "ka qenë i pashmangshëm, i paevitueshëm dhe i domosdoshëm për t'i dhënë shtytjen e fundit çështjes së Kosovës".
Shtetet e Bashkuara të Amerikës në këto 17 18 vite të fundit kanë pasur një politikë konsistente karshi Kosovës, ka veneruar Muhamet Hamiti.
Ai përkujtoi se George Bushi i Vjetër ka pas bërë në dhjetorin e vitit 1992 atë që quhej tërheqja e vërejtjes e kohës së Kërshëndellave (Christmas Warning), kur i tërhiqej vërejtja Serbisë se SHBA të do të mund të ndërhynin kundër saj në rast të aksionit kundër Kosovës.
"Clintoni vinte dhe e merrte pushtetin pak javë me vonë", ndërsa në fund i priu aksionit botëror për çlirimin e Kosovës. Ndërsa, Bushi i Riu përfundoi këtë aksion për çlirimin e Kosovës duke udhëhequr "një koncensus të gjerë ndërkombëtar, jo të plotë, në radhë të parë me Evropën" dhe një pjesë tjetër të botës , për të siguruar që Kosova të pavarësohet, ka përfunduar Hamiti.
Nuk do të ketë ndërrim të politikës amerikane karshi Kosovës gjatë Administratës së Presidentit Obama, vlerësuan pjesëmarrësit e emisionit debatues "Forumi" të BBC së në shqip