Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Lulzim Basha priti të mërkurën në takim Agim Çekun, kryetar i Partisë Socialdemokrate dhe ish-kryeministër i Kosovës, me të cilin shkëmbeu mendime lidhur me zhvillimet më të fundit në Kosovë dhe në rajon, si dhe për marrëdhëniet dypalëshe.
Siç bëhet e ditur në një komunikatë të MPJ-së, Basha vlerësoi angazhimin e mëparshëm dhe aktual të Çekut në zhvillimet politike në Kosovë.
Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se Kosova gjendet tashmë në një fazë historike dhe para sfidave të rëndësishme, kështu që ka nevojë për kontributin e përkushtimin e të gjithëve, për mbështetje maksimale lidhur me njohjen e saj ndërkombëtare, për përmbylljen me sukses të periudhës së tranzicionit dhe ecjen e sigurt përpara në konsolidimin e shtetit demokratik, zhvillimin ekonomik dhe integrimin evropian.
Çeku, nga ana e tij, shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe ndihmën e gjithanshme të Shqipërisë, në të gjithë procesin e pavarësimit të Kosovës, në forcimin e shtetit ligjor dhe theksoi se ai është i mirëpritur dhe në zhvillimet e ardhshme.
Në këtë kuadër, Basha siguroi Çekun për mbështetjen, përkushtimin e plotë e të vazhdueshëm të qeverisë dhe diplomacisë shqiptare, dhe gjithë infrastrukturës diplomatike të Shqipërisë, në funksion të konsolidimit të shtetit të ri të Kosovës në arenën ndërkombëtare.