Mbrëmë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve "Calcio Oscars", kapiteni i Juventusit, Alessandro Del Piero, rrëmbeu çmimin e lojtarit më të mirë italian dhe njëkohësisht është votuar si lojtari më i dashur i tifozëve në Itali.
Në një intervistë për ‘Tuttomercatoweb”, Del Piero komentoi për sezonin 2007/2008 me Juventusin dhe njëkohësisht ka falënderuar ish-trajnerin e tij te Zonja e Vjetër dhe trajnerin aktual të Italisë, Marcello Lippi, për komplimentet e fundit që ia ka bërë.
“Jam shumë i kënaqur për këto çmime dhe shpresoj që edhe lojtarët tjerë të Juventusit t’i fitojnë ato në të ardhmen”, është shprehur kapiteni.
Lippi së fundmi ka deklaruar se Del Piero është një fenomen për faktin që “është duke e arritur shifrën e 260 golave dhe para se të heqë dorë nga futbolli ai do ta arrijë shifrën e 300 golave”. Ndërsa duke e falënderuar për këtë gjë, Pinturicchio iu drejtua Lippit me fjalët: “Vetëm 300 gola?”
Duke mbyllur intervistën, Ikona e Jevus foli edhe për sezonin aktual dhe për barazimin e fundit kundër Lazios.
“Kreu i tabelës tash është më afër se kurrë, megjithëse është vështirë të thuhet se çka do të ndodhë në të ardhmen”.
“Jam krenar për paraqitjen tonë kundër Lazios dhe jam shumë i lumtur kur dëgjoj se presidenti im Cobolli Gigli ka thënë se nuk do të më shiste as për 120 milionë euro”, ka përfunduar Del Piero.