Qeveria britanike ka njoftuar një tjetër plan shpëtimi për sektorin bankar të vendit i cili ndodhet në vështirësi.
Ajo po injekton miliarda dollarë shtesë në ekonomi në përpjekje për t’i inkurajuar bankat t’u japin kredi familjeve dhe bizneseve.
Plani vjen tre muaj pasi plani i parë i shpëtimit nuk arriti t’i stimulojë bankat të vepronin.
Këtë herë qeveria, ka shkuar më tej- përsëri me ndihmën e taksapaguesve—duke i ofruar bankave siguracion për humbjet e mëdha nga borxhet e këqija.
Kryeministri, Gordon Brown, tha se qeveria duhej të vepronte, pasi i kishte parë të gjitha rreziqet në ekonominë ndërkombëtare.
Gazetarët e biznesit të BBC-së thonë se ka spekulime se nëse bankat nuk rrisin numrin e kredive, një zgjidhje mund të jetë shtetëzimi i plotë i tyre.