Liverpooli është zhvendosur nga kreu i Premierligës nga Manchester United gjatë të shtunës dhe sulmuesi Fernando Torres kërkon nga bashkë-lojtarët e tij mos ta ngadalësojnë ritmin.
“Këtë vit ka një ndjesi të qartë se liga është caku i ynë. E vetmja mënyrë për ta arritur qëllimin është të kemi besim në vete, ndoshta duke siguruar tre ose katër fitore radhazi”, ka thënë Torres.
“Duhet po ashtu të mbajmë mend se në disa javët e ardhshme do të vendoset se si do të vazhdojë pjesa tjetër e sezonit. Tash është koha e vërtetë të marshojmë”, ka shtuar spanjolli.
Liverpooli sonte do të presë në Anfield rivalin lokal, Evertonin, në përpjekje për t’u rikthyer në krye të tabelës së Premierligës.