Sulmuesi i Liverpulit pranon se “djajtë” e Fergusonit mbeten skuadra për t’u mundur në Premier Ligë
Fernando Torres ka pranuar se shkatërrimi i Çelsit nga Mançester Junajtedi në fundjavë i ka nxjerrë ata në “pole position”, për të kërkuar titullin e tretë të Premier Ligës. Por sulmuesi i Liverpulit mbetet i bindur se skuadra e Sër Aleks Fergusonit mund të rrëzohen nga podiumi i tyre dhe e ka cilësuar takimin mes dy skuadrave në Old Trafford, më 14 mars, si ndeshjen ku mund të vendoset titulli.
Fitorja e së dielës ndaj Çelsit, me rezultatin 3 0, do të thotë se për herën e parë gjatë këtij sezoni Junajtedi mund t’ia zërë vendin e parë Liverpulit në renditje, nëse skuadra e Fergusonit mposht Uiganin sot në mbrëmje, dhe më pas merr pikët e plota kundër Boltonit të shtunën. “Junajtedi është kampioni i Anglisë dhe favorit për titullin, - u ka thënë Torresi gazetarëve në ceremoninë e dhënies së çmimit “Lojtari i Vitit” nga FIFA, në Zyrih, të hënën në mbrëmje.
- Vitet e fundit ata kanë treguar se janë skuadër shumë e fortë. Shikoni pak çfarë lojtarësh të mrekullueshëm kanë. Ata kanë luajtur dy ndeshje më pak, kështu që mund të na arrijnë dhe të na kalojnë.” Fitorja mbi Çelsin i ka bërë bastvënësit ta rivendosin Junajtedin si favoritin kryesor për fitimin e titullit, duke besuar se skuadra e Fergusonit e ka kaluar pjesën më të vështirë të sezonit.
Udhëtimi i suksesshëm i Junajtedit në Japoni, për Botërorin e Klubve, nuk rezultoi me lënien e ndonjë pike, kur Junajtedi iu rikthye ndeshjeve në Premier Ligë. Skuadra kampione i ka luajtur në transfertë të gjitha ndeshjet kundër skuadrave elitë të Premier Ligës, skuadra që marrin pjesë edhe në Ligën e Kampionëve.
“Ne e dimë se çfarë skuadre është Mançester Junajtedi, - ka shtuar Torresi. - Ata janë kampionë të Anglisë, të Europës dhe Botës. I respektojmë si skuadër. Kanë klas, lojtarë shumë të mirë dhe ne kemi vështirësi të renditemi para tyre, ose të mbajmë ritmin me ta. Eshtë e qartë që ata kanë kualitete, por ne kemi opsionet tona dhe i dimë mundësitë tona.
Mendoj se Junajtedi ka shanset e veta, ashtu si Liverpuli dhe Çelsi. Ne duhet të luajmë fort deri në fund dhe të shohim se çfarë do të ndodhë. Old Trafford po na pret dhe shpresojmë të shkojmë atje me pikë të barabarta dhe të përfitojmë nga një ndeshje në një stadium jo aq të mirë për ne,” - ka theksuar sulmuesi i Liverpulit.
Skuadra e të kuqve është e vendosur ta fitojë titullin këtë sezon; kjo vendosmëri u pa edhe nga sulmet e ashpra verbale të trajnerit Rafael Benitez ndaj Fergusonit. Një nga pohimet kryesore të Benitezit - se Junajtedi është i shqetësuar nga shfaqja e Liverpulit, si pretendent serioz për titull - u fashit paksa nga barazimi pa gola i Liverpulit kundër Stok Sitit.
Torresi, i cili nuk ishte titullar në këtë ndeshje, pranoi se Liverpuli nuk e kishte luksin të linte pikë të tjera rrugës. “Premier Liga është shumë e rëndësishme për Liverpulin dhe banorët e këtij qyteti; kemi 19 vite pa fituar titull, kështu që ka mundësi të jetë kompeticion më i rëndësishëm se Liga e Kampionëve. Do të donim ta fitonim sërish këtë titull,” - ka pohuar sulmuesi Torres.