Anësori i Manchester United, Cristiano Ronaldo, i ka shokuar djajtë e kuq, duke deklaruar se “ëndërr” e tij është të luajë në Spanjë.
23-vjeçari është lidhur vazhdimisht me një kalim tek Real Madrid, që më herët deklaroi se do të ofrojë rreth 120 milionë euro për të.
Ronaldo, i cili ka edhe katër vite të mbetura në kontratën e tij nga e cila fiton 150 mijë euro në javë, ka konfirmuar edhe një herë interesimin për të luajtur në La Liga.
“Kam deklaruar disa herë se kam një ëndërr, të luaj në Spanjë. Ndonjëherë ëndrrat nuk realizohen, por unë ëndërroj, sërish ëndërroj dhe jam i lumtur në Manchester, por të ardhmen? Askush nuk e din”, ka thënë Ronaldo.
“Por e kam thënë me qindra herë se jam shumë i lumtur në klub, jam shumë i lumtur në Manchester dhe dëshiroj të qëndroj këtu. Them se këtu është shtëpia ime por të ardhmen askush nuk mund ta di, vetëm Zoti”, ka shtuar portugezi.