Për 20-vjeçarin brazilian marrëveshja është zyrtare, ndërsa për mbrojtësin danez pritet konfirmimi
Menjëherë Felipe Mationi, më pas Dani Ager. Milani investon, lëviz në merkato dhe në darkë arrin një nga objektivat e tij. Nga Gremio ka ardhur mbrojtësi i krahut brazilian, 20-vjeçari Felipe Mationi, lojtar i kombëtares Under 20 të Brazilit, i cilësuar nga Galiani Kafuja i ri.
Në ditët e kaluara, futbollisti, i shoqëruar nga agjenti i tij Mino Raiola, ka përfunduar procedurën për pasaportën italiane dhe të mërkurën në mbrëmje ka firmosur për Milanin, pasi është takuar me drejtuesit kryesorë të kuqezinjve, Adriano Galiani, Ariedo Braida dhe Leonardo.
“Jam shumë i lumtur që do të luaj në një klub të mbushur me kampionë si Milani.” Këto kanë qenë fjalët e para të Felipe Mationit, si lojtar i kuqezinjve. “Në zgjedhjen time ka ndikuar prezenca e shumë brazilianëve në këtë skuadër, - ka thënë mbrojtësi i krahut, pasi ka zhvilluar kontrollet mjekësore.
- Krahasimi me Kafunë? Jam i nderuar për këtë, ai ka qenë një lojtar i madh, por unë duhet të përmirësohem akoma. Pozicioni im? Luaj si mbrojtës krahu.” Gjithashtu, ka folur edhe agjenti i tij Mino Raiola. “Felipe do të kalojë menjëherë te Milani, do të jetë në dispozicion të ekipit, duke filluar që nga java e ardhshme, - ka thënë agjenti.
-Eshtë lojtar i shpejtë, teknikisht shumë i aftë dhe, si gjithë brazilianët, shumë sulmues, të kujton Kafunë.” Ndërkohë, Mationi, ditët e kaluara dukej shumë afër kalimit te Juventusi. “Ka pasur shumë klube të tjera që janë interesuar, por ëndrra e tij ka qenë gjithmonë Milani,” - ka saktësuar Raiola.
Mationi do të regjistrohet menjëherë në ligën italiane të futbollit, por do të rikthehet në Brazil dhe, pasi të marrë vizën, do të rikthehet në Itali. Kështu, Adriano Galiani ka mbyllur me sukses një operacion që ka kushtuar rreth 7 milionë euro. Formula është ajo e borxhit, me të drejtën për ta blerë lojtarin në fund të sezonit.
Gjithashtu, është arritur edhe një marrëveshje për një kontratë 4-vjeçare. Kjo zgjedhje është bërë për shumë arsye. Mbi të gjitha, për të mos rënduar financat e kuqezinjve në sezonin aktual, por edhe për t’i mundësuar lojtarit të presë lidhjet me klubin brazilian. Tani duhet përfunduar operacioni.
Pra, pas marrëveshjes së munguar për Ibrahimoviçin, agjenti italo-holandez Mino Raiola ka arritur një marrëveshje me klubin kuqezi. Duhet thënë se kishte negociuar gjatë për Mationin dhe me Juventusin. Klubi e ka bllokuar për disa muaj, por tani ka vendosur të ndjekë rrugë të tjera. Lojtar krahu shumë i shpejtë, i gjatë 177 cm, me peshë 72 kg, Mationi mund të aktivizohet edhe në mesfushë.
Dhe menjëherë pas blerjes së brazilianit Mationi, Milani është gati të njoftojë edhe një tjetër goditje që do të forcojë repartin mbrojtës. Duket se është mbyllur me sukses marrëveshja për qendërmbrojtësin 24-vjeçar të Liverpulit Daniel Ager, i ndjekur prej kohësh nga kuqezinjtë.
Vlera e operacionit është 7 milionë e gjysmë stërlina, gati 9 milionë euro. Danezi duhet të nnshkruajë një kontratë 4-vjeçare dhe do të jetë i gatshëm menjëherë për Ançelotin. Koha e pasigurtë e riaftësimit të Nestës dhe gjendja e Senderosit, e kanë bindur Milanin të nxitojë për ardhjen e mbrojtësin të Liverpulit.
Kontrata e Agerit me “të kuqtë” skadonte më 2010-ën: që nga qershori, falë një klauzole kontraktuale, danezi mund të nënshkruante me një tjetër klub, me një klauzolë zgjidhjeje për 8 milionë euro. Vendimtare për marrëveshjen e arritur ka qenë takimi i djeshëm mes Adriano Galianit dhe menaxherit të danezi Per Stefensen. Ageri do të luajë menjëherë për Milanin dhe mund të aktivizohjet edhe në Kupën UEFA.