Prishtina nuk do të hyjë në bisedime me Beogradin, përderisa Serbia të mos e pranojë pozicionin e barabartë të Kosovës në këtë dialog, thonë zyrtarët kosovarë.
Kosova pranon të hyjë në bisedime teknike me Serbinë vetëm nëse Beogradi e pranon Prishtinën si palë të barabartë, thonë zyrtarët në Prishtinë.
Sipas tyre, gatishmëria e shefit të ICO-së, Pieter Feith, që t’i ndihmojë bisedimet ndërmjet Prishtinës e Beogradit, është për t’u çmuar, por tërhiqet vërejtja se Kosova tash i ka institucionet e veta shtetërore dhe vetëm ato mund të vendosin për formatin e bisedimeve, në të cilat Prishtina eventualisht do të përfshihej.
Zëdhënësi i presidentit të Kosovës, Xhavit Beqiri, thotë se përgjegjësinë për dialogun dhe formatin e tij mund ta kenë vetëm institucionet e Republikës së Kosovës.
“Ne e çmojmë punën e deritanishme të Pieter Feithit, mirëpo për çdo temë që ka të bëjë me Kosovën, përgjegjësinë ekskluzive e kanë vetëm institucionet e Republikës së Kosovës”, tha Beqiri.
Një pozicion edhe më të prerë e mban Qeveria e Kosovës. Zëdhënësi Memli Krasnqi thotë se me Beogradin mund të bisedohet vetëm nëse Serbia e pranon Kosovën si palë të barabartë dhe në asnjë formë tjetër.
“Çfarëdo lloj bisedimi mund të ndodhë vetëm atëherë kur Serbia e pranon Kosovën si palë të barabartë në këto bisedime. Mendoj se është një kusht shumë i natyrshëm, sepse Kosova është shtet i pavarur e sovran. Këtë fakt duhet ta pranojë edhe Serbia për të biseduar për çfarëdo çështjeje praktike, edhe pse ne jemi të bindur se ka nevojë të bisedohet me Serbinë ashtu siç ka nevojë të bisedohet me secilin shtet fqinj”, thotë Krasniqi.