Tekniku portugez ka qenë shumë i kënaqur me paraqitjen e sulmuesit brazilian në kupë
Interi ka kaluar në çerekfinale në Kupën së Italisë, por Xhenoa del jashtë këtij kompeticioni me kokën lart. Gasperini ka lënë jashtë formacionit pjesën më të madhe të titullarëve; kuqeblutë luajnë me dhjetë veta, që nga minuta 20-të e pjesës së parë shkojnë në disavantazh 15 minuta para fundit të takimit, gjejnë forcën për të raguar dhe kapitullojnë vetëm në kohën shtesë.
PO, PA MAIKONIN DHE IBREN… - Eshtë e qartë se fitorja e zikaltërve është e merituar, raste kanë pasur shumë (nuk mund të ndodhte ndryshe), por edhe njëherë ekipit të Mourinjos, për të dalë nga telashet, i është dashur të mbështetet në fillim te shpërthimet e Maikonit dhe më pas tek i përhershmi Ibrahimoviç.
Skuadra është akoma shumë e varur nga këta dy lojtarë, me sulmuesin suedez që ka arritur në kuotën e 13 golave në këtë sezon. “Por, sipas mendimit tim, - thotë Mourinjo, - nga pjesa e dytë dhe më tej kemi treguar cilësi të madhe në lojën tonë, duke krijuar një numër të madh rastesh. Në disa momente të ndeshjes kemi qenë dhe spektakolarë.
Mund të kishte mbaruar shumë mirë dy ose tre me zero për, ne brenda 90 minutave. Eshtë e vërtetë, Xhenoa ishte me dhjetë lojtarë, por mbetet gjithmonë një skuadër e vështirë për t’u mundur, sepse është e fortë dhe e mirorganizuar.” Më pas, mbi Adrianon: “Penalltitë nuk i humb vetëm ai që nuk i gjuan.
Mua Adri më ka pëlqyer, ka luajtur mirë, edhe pse është dukur qartë se nuk është akoma në maksimum të formës. Duhet të humbasë 3-4 kile, por mentaliteti është ai i duhuri. Janë të rëndësishëm respekti për veten dhe për tifozët”.
Komplimentet vijnë edhe për Krespon. “I ka munguar vetëm goli dhe nuk duhet të dëshpërohet, pasi unë jam shumë i kënaqur me lojën e tij.” Më pas, nota negative e mbrëmjes. “Nuk ka shkëlqyer Muntari.
Një lojtar, që të dielën ishte i skualifikuar, duhet të luajë me më shumë përqendrim dhe intensitet.” Tani vjen Roma. “Shumë mirë, mua kjo kupë më pëlqen. Unë dua ta fitoj, e kam treguar këtë edhe kundër Xhenoas,” - është shprehur Mourinjo.
PERANDORI ESHTE GATI - Adriano ka qenë një nga notat më pozitive të mbrëmjes. Gjiganti i Rios “ringjallet” për të disatën herë. Ka luajtur për më shumë se 75 minuta, ka shënuar golin e katërt sezonal dhe konfirmon se është një element i rëndësishëm edhe në 60-70% të formës. Shënon pak sekonda para se të zëvendësohej nga Ibrahimoviçi një gol, sipas mënyrës së tij, me forcë, me një goditje me kokë.
Por edhe më parë kishte dhënë shenja pozitive, duke vrapuar shumë dhe duke synuar më shumë se një herë portën e kundërshtarit. Ndaj tij Biava ka bërë një ndërhyrje që është ndëshkuar me kartonin e kuq (por që nuk ishte penallti).
Më pas Adri është treguar “zemërgjerë” dhe gjuajtja e tij nga 11 metrat është pritur nga portieri. Por nuk është demoralizuar. Edhe Mourinjo ka bërë një veprim domethënës, duke u çuar menjëherë nga stoli, për t’i dhënë zemër brazilianit.