Pas dështimit në “Old Traford”, trajneri i bluve e ka përjashtuar sulmuesin Drogba nga loja e Kupës së Ligës
Pas disfatës në Old Trafford, gjendet edhe fajtori i parë te Çelsi. Eshtë fjala për sulmuesin Didier Drogba, i cili u la jashtë nga Skolari në ndeshjen e mbrëmshme kundër Sauthendit, për Ligën e Kampionëve.
Kjo ndeshje, madje, u etiketua nga gazeta “Daily Star” si “sfida mes shampanjës dhe birrës”, duke pasur parasysh dallimet e mëdha mes dy klubeve, por për Skolarin kjo është ndeshja e vitit.
NEN KAPACITET - Skolari nuk dëshiron të rrezikojë dhe të fusë në fushë lojtarë që, sipas tij, japin vetëm 35 40% të mundësive të tyre, si për shembull Drogba, por në shënjestër janë edhe Ballak e Deko. “I kam dhënë 4 5 raste për t’u përmirësuar, prandaj nuk mund të ankohet,” - ka thënë Skolari.
Në të vërtetë, futja në fushë e Drogbës ka bërë që të qëndrojë në stol Nikolas Anelka (i cili nuk e ka pritur mirë këtë), sepse të dy ata nuk mund të qëndrojnë në sulm, sipas trajnerit.
IDEJA E MARSEJES - Për brazilianin ka ardhur momenti i ndryshimeve dhe mbrëmë, në sulmin e Çelsit, ka qenë vetëm Anelka, ndërsa Drogba pati mundësinë të meditonte për të ardhmen e tij në Londër. Kjo e ardhme, sipas gazetës “Daily Mirror”, mund ta çonte sulmuesin nga Bregu i Fildishtë te skuadra e Marsejës në formë huazimi; kjo për Skolarin do të ishte diçka e mirë.
Ka qenë vetë Drogba ai që u është propozuar francezëve, të cilët ngurrojnë për shkak të rrogës së lartë të sulmuesit, afërsisht 12 milionë euro në vit, një shumë përtej mundësive të çdo skuadre franceze, ndërkohë që porta e Interit është ende e hapur.
SHTYHET RINOVIMI - “Didierit i ka ardhur në majë të hundës te Çelsi dhe mezi pret të luajë me një klub tjetër. Ai është gati të bëjë sakrifica financiare, vetëm e vetëm që të luajë te një klub ku ka dëshirë,” - ka thënë një mik i Drogbas.
Duket qartë që në Stamford Bridge nuk e kanë më me sy të mirë, saqë rinovimi i kontratës së tij është shtyrë për në fund të sezonit. “Nëse nuk ka dëshirë të qëndrojë këtu, ka ardhur momenti të largohet. Deri tani nuk ka pasur oferta, por, nëse dikush është gati ta blejë, le të vijë,” - ka thënë Skolari.
FELIPAO DHE DREJTUESIT - Për sa i përket pjesës tjetër të skuadrës, analiza e teknikut ka qenë e pamëshirshme. “Jam njeri i mirë, por jo i çmendur. Nëse më pyesni, a është Çelsi i gatshëm për të fituar diçka, përgjigjja është jo.
Nuk jemi gati për të fituar ndonjë trofe dhe e dimë,” - ka qenë komenti i trajnerit brazilian, i cili me këto fjalë e ka të sigurt hidhërimin e drejtuesve të klubit. Skolari është i bindur se drejtuesit e klubit janë me të, ndërkohë që ideja e humbjes së vendit të punës nuk e shqetëson më.
“Nëse më largojnë, do të shkoj të punoj diku tjetër, ndoshta që të nesërmen ose pas dy vjetësh. E pëlqej Çelsin, Londrën dhe jetën që bëj këtu, i pëlqej njerëzit, madje edhe shtypin. Por, nëse kthehem në Brazil, do të më pëlqejë po aq shumë, sepse e dua jetën dhe punoj shumë çdo ditë,” - ka thënë Skolari.
SENATORET E ZEMERUAR - Verën që shkoi, Skolari firmosi një kontratë dyvjeçare, me opsion shtyrje për një vit, por rezultatet nuk kanë qenë ato të priturat. Kohët e fundit flitet për ankesa nga lojtarët simbol të kësaj skuadre, si Xhon Terri dhe Frenk Lampard, dhe për pakënaqësi të të tjerëve (flitet edhe për një zënkë, mes Skolarit dhe Anelkas, pas humbjes ndaj Mançesterit, për të mos folur për tensionet me Drogbën), çka mund ta shtyjë bosin Roman Abramoviç ta shkarkojë nga puna, sigurisht, pas dhënies së kompensimit financiar që, sipas gazetës britanike “Sun”, shkon në 11 milionë euro