Trajneri i Çelsit nuk do të ndërhyjë në merkaton e janarit, pavarësisht nga humbja me Mançesterin
Luiz Felipe Skolari është një humbje larg krizës së parë të tij te
Çelsi, por trajneri brazilian ka këmbëngulur se nuk do të futet në
merkato për të gjetur “ilaçin” e kësaj situate. Çelsi kapitulloi me
rezultatin 3 0 në Old Trafford përballë Mançester Junajtedit të dielën,
në një ndeshje ku londinezët ishin hija e zbehtë e asaj skuadre që e
kishte detyruar skuadrën e Sër Aleks Fergusonit të qëndronte në
mbrojtje, në ndeshjen e mëparshme në Stamford Brige.
Pa frymëzim në aksione sulmuese dhe me një mbrojtje të
papërqendruar, skuadra e tanishme e Skolarit duket më e dobët se ajo e
Mourinjos, i cili ishte në vendet VIP në Old Trafford, që fitoi titujt
Premier në sezonet 2005 dhe 2006.
Por Skolari ka ende besim se skuadra aktuale e Çelsit ka rezerva të
mjaftueshme për të ndalur hovin e Junajtedit drejt titullit të tretë
radhazi. I pyetur, nëse humbja e së dielës do ta detyronte të trokiste
në derën e Roman Abramoviit, për të kërkuar fonde për lojtarë,
përgjigjja e Skolarit ishte sfiduese:
“Lojtarë të tjerë? Nuk dua lojtarë të tjerë. Kam lojtarë shumë të
mirë. Ose dalim kampionë me këta lojtarë, ose unë largohem!”. Çelsi,
sigurisht që është ende në garë, por fakti se, nën drejtimin e Skolarit
kjo skuadër ka marrë vetëm një pikë nga katër ndeshjet kundër
Junajtedit, Liverpulit dhe Arsenalit deri tani, nuk i ka shërbyer
reputacionit të trajnerit brazilian.
Skolari ka pranuar se për Çelsin nuk duhet të përsëritet më ndeshja
e së dielës, nëse dëshiron ta ngrejë trofeun në maj. “Nëse luajmë tri
katër ndeshje të tjera si ajo e së dielës, e kemi të sigurt që nuk e
fitojmë titullin, por tani është koha të mendojmë për të ardhmen tonë,
- ka thënë Skolari. -
Ose do të humbim gjithçka, ose do të tregohemi burra dhe do të
luajmë më mirë.” Në këtë gjendje, ndeshja e nesërme për Kupën e Ligës
kundër Sauthendit do të jetë mundësia e përsosur për të treguar
kthesën, por, në të njëjtën kohë, mund t’i prishë shumë punë Skolarit,
të cilit nuk i ka pëlqyer sigurisht as prania e Mourinjos në Old
Trafford.
Trajneri i Interit kishte një arsye të fortë për të qenë aty, pasi
Interi i tij do të luajë kundër Junajtedit për Ligën e Kampionëve
muajin që vjen. Skolari u tregua indiferent për praninë e Mourinjos në
stadium, duke qenë i ndërgjegjshëm se të gjithë do të bënin krahasimin
mes Çelsit të tij dhe atij të Mourinjos. “Mourinjo erdhi për të parë
Mançesterin, kjo është normale. Ai është inteligjent. Nuk erdhi këtu
për të më thënë se më do shumë,” - ka komentuar Skolari.