Kevin Prince Boateng ka pasur fatin të ketë një shans të dytë për të
rifilluar karrierën e tij në Bundesligë, aty ku bëri emër në fillim.
Lojtari i pafat i Totenhemit, Kevin Prince Boateng, ka marrë një
dhuratë të çmuar në fund të vitit, kur u dha në formë huazimi te
Borusia e Dortmundit.
Lojtari i përfaqësueses gjermane të Under 21-shit ka kaluar një
periudhë mjaft të vështirë, që prej transferimit të tij te Totenhemi
nga Herta e Berlinit, për 6 milionë euro para një viti e gjysmë, pasi
nuk ka arritur të zërë vend në skuadër, edhe pse ka parë të ndërrohen
tre trajnerë: Martin Jol, Huande Ramos dhe së fundmi Herri Redknap.
“Do ta marrim në formë huazimi deri në fund të sezonit, - ka
shpjeguar drejtori sportiv i Dortmundit, Mikael Zork. - Nëse gjithçka
shkon mirë, ai do të vijë në Malaga dhe do të stërvitet me ne
rregullisht,” - ka shtuar Zork, i cili ka pohuar se marrëveshja e
arritur me Totenhemin përfshin mundësinë e blerjes së lojtarit.
Ai ka shtuar: “Së pari, duam të shohim se si është gjendja e tij,
pasi ka kaluar momente të vështira kohët e fundit”. Vetë lojtari e sheh
si një mundësi të madhe kalimin te Dortmundi dhe mund të jetë një aset
i mirë për këtë skuadër, pasi ai luan në disa role në mesfushë.