Kevin Prince Boateng ka pasur fatin të ketë një shans të dytë për të rifilluar karrierën e tij në Bundesligë, aty ku bëri emër në fillim. Lojtari i pafat i Totenhemit, Kevin Prince Boateng, ka marrë një dhuratë të çmuar në fund të vitit, kur u dha në formë huazimi te Borusia e Dortmundit.
Lojtari i përfaqësueses gjermane të Under 21-shit ka kaluar një periudhë mjaft të vështirë, që prej transferimit të tij te Totenhemi nga Herta e Berlinit, për 6 milionë euro para një viti e gjysmë, pasi nuk ka arritur të zërë vend në skuadër, edhe pse ka parë të ndërrohen tre trajnerë: Martin Jol, Huande Ramos dhe së fundmi Herri Redknap.
“Do ta marrim në formë huazimi deri në fund të sezonit, - ka shpjeguar drejtori sportiv i Dortmundit, Mikael Zork. - Nëse gjithçka shkon mirë, ai do të vijë në Malaga dhe do të stërvitet me ne rregullisht,” - ka shtuar Zork, i cili ka pohuar se marrëveshja e arritur me Totenhemin përfshin mundësinë e blerjes së lojtarit.
Ai ka shtuar: “Së pari, duam të shohim se si është gjendja e tij, pasi ka kaluar momente të vështira kohët e fundit”. Vetë lojtari e sheh si një mundësi të madhe kalimin te Dortmundi dhe mund të jetë një aset i mirë për këtë skuadër, pasi ai luan në disa role në mesfushë.