Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, ka pritur të martën në takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Hans-Dieter Steinbach, me të cilin bisedoi për gjendjen politike dhe të sigurisë në Mitrovicë.
Steinbach, u interesua për situatën pas vendosjes së pjesëtarëve të EULEX-it si dhe efektet e para nga kjo. Në lidhje me këtë, Rexhepi tha se pret që së shpejti të ndjehen edhe efektet e kësaj shtrirje në praktikë, duke pasur parasysh rrethanat që janë në veri, ku gjendja e sigurisë është e brishtë.
Rexhepi vlerësoi se hapat konkret në lidhje me përmirësimin e gjendjes sa i përket rendit dhe ligjit në veri do të ndikonin pozitivisht edhe në krijimin e besimit tek popullata. Ai po ashtu tha se rendi dhe ligji janë prioritet i prioriteteve dhe kusht për progres në këtë pjesë të Kosovës, me çka do të krijohej një ambient i përshtatshëm për zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
Edhe ambasadori gjerman, rendin dhe ligjin e vlerësoi se parakusht për zhvillim ekonomik dhe investime nga investitorët vendorë dhe të huaj. Ai tha se Gjermania është shumë e interesuar për të parë progres në zhvillimin ekonomik, si dhe krijimin e kushteve për investitorët potencialë, si një segment që do të reflektohej pozitivisht edhe në aspektet tjera.