Aktori i njohur kosovar, Enver Petrovci, në fund të këtij muaji do të shpërngulet nga Kosova për në Shqipëri, ku shpreson se do vijnë në pah ambiciet e tij artistike.
Nëpërmjet telefonit për emisionin “Express Live” të televizionit KTV, aktori ka thënë se ka disa arsye që e kanë detyruar atë ta ndërmarrë këtë hap.
“Gjendja në skenën tonë kulturore është arsyeja më e madhe. Tani kur jam në moshën më të mirë artistike, unë këtu jam pa punë. Nuk jam duke parë ndonjë perspektivë në Kosovë, shpresoj se në Shqipëri do të vijnë në pah ambiciet e mia artistike”, ka deklaruar Petrovci.
Artisti ka pohuar se nga Teatri Kombëtar i Tiranës fillimisht i është mundësuar realizimi i një shfaqjeje.
Ndryshe, ai ka bërë të ditur, se ka kërkuara nga Rektorati i Akademisë së Arteve në Tiranë që t’i mundësohet punësimi si pedagog, përderisa, sipas tij, zëvendësministri i Kulturës në Shqipëri i ka ofruar hapjen e një shkolle private në Shqipëri.
Petrovci ka bërë të ditur se fillimisht do të shkojë vetëm dhe më pas nëse do të realizohen të gjitha, do të zhvendoset edhe familja e tij.