Trajneri i Mançesterit “ironizon” për fjalët e trajnerit të Liverpulit
Sër Aleks Ferguson e ka akuzuar trajnerin e Liverpulit, Rafael
Benitezin, se nuk është mirë, pas sulmit të tij të fundit kundër tij.
Trajneri i Liverpulit e sulmoi ashpër Fergusonin të premten dhe më pas
e sulmoi sërish, pas barazimit pa gola të Liverpulit kundër Stok Sitit.
Benitezi mendon se sjellja e Fergusonit nuk është në lartësinë e
duhur dhe ka thënë se trajneri i Mançesterit përfiton nga mbajtja me
hatër nga Federata Angleze e Futbollit.
Përveç kësaj, Benitezi e sulmoi Fergusonin, në lidhje me ankesat e
tij të shumta në drejtim të kalendarit të ndeshjeve, që e kishte
detyruar Junajtedin të luante në transfertë të gjitha ndeshjet kundër
skuadrave rivale për titull në pjesën e parë të sezonit.
Zyrtarë të Mançester Junajtedit kanë shprehur habinë e tyre për
sulmin e trajnerit spanjoll, duke u shprehur se ky sulm ishte i pabazë.
Duke gjykuar nga tipi i Fergusonit, mund të thuhet se përgjigjja e tij
ka qenë e përmbajtur.
Megjithatë, ai ka shprehur mendimin se, nëse Benitezi mendon pak për sjelljen e vet, do të bindet se ka gabuar.
“Kishte shumë helm në atë që tha Benitezi. Nuk e di se nga i erdhi.
Eshtë e qartë se ai është i shqetësuar nga diçka. Po të reflektojë pak,
për atë që ka thënë, do ta shohë se çfarë gjërash qesharake ka thënë.
Unë nuk dua të them diçka më shumë, sepse dua të fokusohem te skuadra
ime,” - ka qenë përgjigjja e Sër Aleksit.