Tash për tash nuk ka zgjedhje të përgjithshme në Kosovë... mirëpo nuk mund të përjashtohet mundësia e mbajtjes së tyre prej tash e deri në përfundim të mandatit katërvjeçar…Mund të ketë zhvillime të reja që mund ta nxisin presidentin të caktojë zgjedhjet, ka thënë përfaqësuesi civil ndërkombëtar, Pieter Feith, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Feith, në këtë intervistë ka bërë një vijë ndarëse midis përgjegjësive të presidentit të Kosovës dhe përgjegjësive të tij. Sipas përfaqësuesit civil ndërkombëtar, presidenti Sejdiu është personi që përgjigjet në çështjet që kanë të bëjnë me Kushtetutën, kurse ai flet për planin gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit.
I pyetur nëse ky vendim është i kthyeshëm – Feith ka shpjeguar se, “ajo që e ka thënë është pikëpamja e tij dhe autoriteti që i është dhënë në kuadër të pakos gjithëpërfshirëse dhe Kushtetutës”. “Më është besuar përgjegjësia për të qenë autoriteti përfundimtar në zbatimin e planit dhe kështu do të mbetet’, ka shtuar ai.
Sidoqoftë, ai ka theksuar se, zgjedhje tash për tash nuk do të ketë, mirëpo ka shtuar se: “Nuk mund të përjashtohet mundësia e mbajtjes së tyre prej tash e deri në përfundim të mandatit katërvjeçar të Kuvendit dhe Qeverisë”.
“Natyrisht, mund të ketë zhvillime të reja që mund ta nxisin presidentin të caktojë zgjedhjet. Por, kjo është diçka e cila duhet të dalë nga Kuvendi, prandaj do të doja t’i trimëroj të gjithë që ta kthejnë debatin aty ku e ka vendin, në Kuvendin e Kosovës. Dhe nëse opozita siguron mbështetje të mjaftueshme për synimin e tyre që të mbahen zgjedhjet, atëherë natyrisht kjo është diçka tjetër”, ka thënë ai.