Kryetari i Partisë Aleanca Kosova e Re dhe biznesmeni i njohur shqiptar nga Kosova, Behgjet Pacolli, i cili është edhe Këshilltar Ndërkombëtar në CSIS, po merr pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri të SHBA-ve, Barack Obama.
Pacolli – siç thuhet në një komunikatë të AKR-së - është i vetmi lider politik nga Kosova, dhe më gjerë, që ka marrë ftesë nga Departamenti i Shtetit Amerikan, për të qenë i pranishëm gjatë ceremonisë së inaugurimit të presidentit Obama.
Në këtë komunikatë po ashtu bëhet e ditur se, Pacolli, gjatë kësaj pjesëmarrjeje, do të takohet me nënpresidentin e ri amerikan, Joe Biden dhe me shumë personalitete të tjera të rëndësishme.
Pacolli është i ftuar edhe në organizimet e veçanta të kësaj ceremonie, në mesin e një numri shumë të kufizuar të personaliteteve të rëndësishme nga SHBA-të dhe bota. Ai merr pjesë edhe në ballon qendrore që organizohet nga presidenti i ri, Barack Obama, dhe në programet e tjera të ceremonisë së inaugurimit.