Sulmuesi verdhekuq është konfirmuar si makthi i mbrojtjes milaniste
Për fëmijët milanistë, tashmë mund të jetë kthyer në “gogol” ai që
thirret, në rast se nuk sillen mirë. “Bëji detyrat, përndryshe do të
thërras Vuçiniçin!”, është kërcënimi që i bën të dridhen ata që kanë
varur në dhomën e tyre posterin e kapitenit Maldini, i cili ngre lart
trofetë e fituar.
Ndoshta, kjo vjen nga fakti se prej kohësh, siç ka thënë vetë ai,
studion Ibrahimoviçin, (”Eshtë modeli që ndejk unë,” - ka thënë
gjithmonë), por tashmë prej disa vitesh sulmuesi verdhekuq është kthyer
në makth për kuqezinjtë.
Nuk besoni? Atëherë, a e kujtoni sezonin e kaluar, dy gola të
malazezit (një në fazën e parë dhe një në të dytën), që kanë sjellë dy
humbjue për ekipin e Ançelotit që (edhe) për këtë ka qenë i detyruar
t’i japë lamtumirën Championsit?
Edhe tani Vuçiniç nuk ka zhgënjyer, por këtë herë ajo që nuk e ka
ndjekur deri në fund ka qenë Roma. Mirko pjesën e tij e ka bërë, dhe
mirë. Pas krosimit të Rises, ka ardhur kontrolli i saktë i topit, finte
e pastër ndaj Jankulovskit, gjuajtje ngjitur me tokën, që ka mundur
Abiatin dhe festim me vrapim e rrëshqitje në fund, në favor të kamerave.
Por nuk mjafton. Pas shpërthimit të kuqezinjve, ka qenë pikërisht
një goditje e tij e shkëlqyer me kokë, që ka sigluar një barazim të
bukur dhe spektakolar. Bilanci i Mirkos? Goli i dymbëdhjetë në këtë
sezon: 6 në kampionat, 3 në Champions, 2 në Kupën e Italisë dhe 1 në
Superkupë.
Si të thuash, pas dygolëshit të tretë në këtë sezon, objektivi i 20
golave nuk është më i paarritshëm, përkundrazi. “Mbase jam makthi i
Milanit, por do të kisha preferuar të mos shënoja dhe t’i kishim marrë
tri pikët, - ka shpjeguar ai. - Kur shkuam në avantazh, mund ta kishim
kontrolluar më mirë ndeshjen, por ata kanë shumë kampionë dhe janë
shumë të zotë në qarkullimin e topit.
Në fund, ne kemi qenë të aftë që nuk jemi dorëzuar dhe kemi arritur
të barazojmë. Nga ana tjetër, nuk mund të fitojmë gjithmonë,” - ka
përfunduar Vuçiniç.