Trajneri i Bajernit të Mynihut shprehet i kënaqur, pas fazës përgatitore të zhvilluar në Dubai
Trajneri i Mynihut, Jurgen Klinsman, e ka cilësuar udhëtimin dhe fazën përgatitore të Bajernit në Dubai si sukses, duke pohuar se skuadra është lidhur më shumë. Gjigantët e Bundesligës kanë pasur një program të ngjeshur me ndeshje miqësore kundër skuadrave Al Xhezira dhe Al Ueda në Dubai.
Udhëtimi në Dubai ka qenë shumë pozitiv për gjermanët, në lidhje me forcimin e skuadrës. “Kemi bërë shumë punë të mirë atje, në lidhje me bazat e skuadrës. Ishte një përvojë fantastike shkuarja atje, - ka thënë Klinsman. - Atmosfera ishte pozitive. Lojtarët janë çliruar, kanë qeshur dhe kanë darkuar së bashku.
E shijuam qëndrimin tonë atje, sepse jemi afruar shumë si skuadër.” Drejtori Uli Hënes ka dhënë gjithashtu komentet e tij pozitive për skuadrën, pas kthimit të tyre në Mynih. “Të gjithë e dimë se kur në skuadër funksionon.
Shiheni skuadrën tani! Mendoj se është një grup që ka ecur përpara gjashtë muajt e fundit. Do ta fitojmë kampionatin. E kam thënë këtë edhe kur ishim 12 pikë pas kryesuesve. Jemi me pikët ë barabarta tani dhe vetëm katër gola më pak se Hofenheimi, asgjë për Bajernin.
Rrjedha e gjërave është në favorin tonë tani,” - ka pohuar Uli Hënes. Seoznin tejtër, Bundesliga do të ketë një pushim më të shkurtër, gjë që ka sjellë reagimin e drejtuesve të skuadrave. “E konsideroj shkurtimin e pauzës dimërore si një gabim që do ta dëmtojë futbollin gjerman, - ka treguar Hënes, për gazetën “Sport Bild”.
- Në të ardhmen nuk do të kemi mundësi të bëjmë fazë përgatitore në dimër dhe do të humbasim një nga avantazhet tona, në krahasim me rivalët ndërkombëtarë. Deri tani, skuadrat tona kanë pasur mundësinë të hynin në fazën tjetër të Ligës së Kampionëve ose të Kupës UEFA të çlodhur,” - ka qenë arsyetimi i Hënesit.
Bundesliga, aktualisht, bën gjashtë javë e gjysmë pushim në dhjetor e janar, por Federata Gjermane e Futbollit e ka shkurtuar këtë periudhë në tri javë e gjysmë, për të mos e ngjeshur kalendarin.