Sulmuesi i Bajernit të Mynihut, Lukas Podolski, që, sipas drejtuesve
të këtij klubi, nuk gëzon formën e dikurshme, pritet të largohet nga
skuadra bavareze në fund të sezonit. Sipas trajnerit Jurgen Klinsman,
ai nuk ka treguar vendosmërinë e duhur për të zënë një vend të rregullt
në formacionin e parë.
Podolski, i cili erdhi te Bajerni në vitin 2006, këtë sezon ka
qëndruar shumë në stol, pas të zakonshmëve Luka Toni dhe Miroslav
Kloze. Podolski, që ka luajtur një Botëror të shkëlqyer në vitin 2006,
nën drejtimin e ish trajnerit të atëhershëm të përfaqësueses gjermane,
aktualisht trajner i Bajernit, ka vazhduar të shënojë gola për
përfaqësuesen dhe tani dëshiron të largohet.
Destinacioni i tij më i mundshëm është ish skuadra e tij, Këlni.
Ardhja e sulmuesit Landon Donovan, i huazuar nga skuadra Los Anxhelos
Galaksi dhe blerja e kroatit Ivica Oliç sezonin që vjen, i kanë shuar
shpresat e Podolskit për një të ardhme të suksesshme te klubi i Mynihut.
“Të vjen keq kur sheh një talent të veçantë që ndalet dhe nuk bën
hapa përpara, vetëm e vetëm se dy sulmues të tjerë janë rregullisht në
formacion të parë, - ka thënë Klinsman për faqen zyrtare të internetit
të klubit gjerman. - Do të doja që ai të kishte pak më shumë inat, të
cilin do ta shfaqte në lojë.
Do të doja që ai t’i thoshte vetes: “Do t’ua tregoj se çfarë mund të
bëj!”. Bajerni është klub ku, ose pranohet sfida dhe i thuhet vetes se
do të bëj maksimumin të zë një vend në formacion, ose më mirë ndërro
skuadër,” - ka shtuar Klinsmani.
Bajerni është në bisedime e sipër me Këlnin dhe shpreson të arrijë
një marrëveshje në fund të muajit, siç ka pohuar fundjavën që shkoi
drejtori i përgjithshëm i bavarezëve, Uli Hënes.