Presidenti i Realit ka përfunduar në “qendër të ciklonit”, pas skandalit të botuar nga “Marca”
Pasi gazeta “Marca” botoi 12 faqe me rrethana dhe dokumente që akuzonin Ramon Kalderon, presidenti i Realit të Madridit ishte i ftuar në dy emisione radiofonike në Spanjë, por nuk arriti të ishte bindës në ato që tha, por vetëmbrojtje.
Kjo është përmbledhja e serisë së dytë të skandalit, që rrezikon të përfshijë numrin 1 “merenges” dhe klubin më të madh në Spanjë…
FORCA ATLETIKO - Të martën në mëngjes, e përditshmja madrilene kishe denoncuar faktin që në asamblenë e fundit zgjedhore të klubit kishin votuar njerëz që nuk e kishin vjetërsinë e duhur për t’u konsideruar si anëtarë të Realit.
Ndërsa dje “Marca” ka bërë të ditur 10 nga këta “outsider”… me emra, mbiemra dhe fotografi. Midis “rekrutëve” të angazhuar nga Kalderoni ishte edhe dikush që prej shumë vitesh kishte qenë anëtar i Atletikos së Madridit, rivalëve kryesorë të Realit.
ÇENDURI, KAOS - Ata që janë asnjanës në këtë çështje kanë filluar të qeshin, por rreth Realit të Madridit po zhvillohet një luftë që nuk njeh asnjë çast pushimi. “Partia” që kërkon dorëheqjen e presidentit dhe zgjedhjet e parakohshme (për momentin, janë parashikuar më 2010-n), po i shton anëtarët ditë pas dite. Ramon Kalderon mbrohet me aq sa mundet.
“Po të largohesha tani, do të ishte një veprim i papërgjegjshëm, - tha ai për “Largueron”, emision radiofonik në Spanjë. - Do të ishte çmenduri zhvillimi i një procesi elektoral. Do të shkaktonte kaos te skuadra. Unë do të qëndroj deri më 2010-n, pastaj nuk kam ndër mend të kandidoj më.”
MASKARA - Kalderoni flet për qëndrueshmëri, edhe pse ka një trajner me katër muaj kontratë. Në emisionin tjetër ai përdori termin “maskara”. “Nuk e di ç’duhet të bëj për të treguar se nuk jam maskara, siç dal në faqen e parë të “Marca”-s.”
Kalderon nuk e ka mohuar praninë e anëtarëve “fals”, por tha: “Duhet të shohim se sa kanë qenë personat që kanë hyrë pa të drejtë vote: pesë, gjashtë apo 24… nuk kanë asnjë rëndësi. Unë fitova me 161 vota më shumë se rivalët.”
KODI PENAL - Në gazetën “El Mundo” nënvizojnë faktin sesi artikulli 292 i Kodit Penal në Spanjë dënon me 6 muaj deri në 3 vjet burg personat që fusin në asamble (shtetërore apo private) individë pa të drejtë vote. Pra, ajo që ka bërë Kalderoni më 7 dhjetor është e dënueshme me ligj. Ndoshta nuk do të shkohet deri në gjykatë, por situata mbetet shumë e rëndë.