Arrestimi i Ratko Mlladiqit nuk do t’i mjaftojë Serbisë që ta fitojë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ka thënë presidenti i Iniciativës Evropiane për Stabilitet, Gerald Knaus. Sipas tij, arrestimi i Mlladiqit i ofron statusin e kandidatit por pa e zgjidhur çështjen e Kosovës, Serbia vështirë se mund të hyjë në Bashkimin Evropian. Knaus i njohur si njëri nga analistët më të shquar të Ballkanit në institucionet e Bashkimin Evropian ka thënë se “Të gjithë e dimë pozicionin e Beogradit për Kosovën, mirëpo, njëkohësisht Serbia duhet të ndihmojë Bashkimin Evropian në zhvillimin e Kosovës dhe të dërgojë sinjal të qartë se dëshiron që BE-ja të korrë sukses në Kosovë, pa marrë parasysh çështjen e statusit”, ka thënë ndër të tjera Knaus.