Pas hetimeve disamujore nga ekipi punues për parandalimin dhe luftimin e kontrabandës në regjionin e Mitrovicës, sot, rreth orës 7 të mëngjesit, janë arrestuar 6 persona me dyshimin e bazuar se kanë kryer vepra penale, krim të organizuar, pastrim parash dhe kontrabandë me mallra, ka bërë të ditur policia përmes një komunikate shtypi.
Të arrestuarit janë: Mentor Beqiri, Arianit Beqiri, Albert Beqiri, Alban Osmani, Jahë Osmani dhe Halil Hasani. Gjatë këtij operacioni u bastisën tri lokacione, një në Mitrovicë dhe dy në Vushtrri.
Të arrestuarit janë pronar dhe bashkëpronarë të disa bizneseve, si: “BT-Petroll”, “Jamo” dhe “Mab”, ku dyshohet se nëpërmes këtyre bizneseve kanë kryer veprimtari të paligjshme.
Gjatë bastisjes së shtëpive të të dyshimtëve janë gjetur disa armë dhe prova materiale për procedurë të mëtejme. Arrestimi dhe kontrollimi është kryer me urdhër të prokurorit vendor dhe gjyqtarit vendor, thuhet në komunikatë.