“Ky takim është humor i zi, joserioz dhe rrahje e ujit në tavan. Këtu është dashtë të takohen me neve dhe ankesat tona, përfaqësuesit e Qeverisë dhe Parlamentit të Kosovës, drejtuesit e AKP-së dhe kryetarë të pushteteve lokale, e jo të dëgjojmë pallavrat e juaja”, iu ka thënë përfaqësuesve të BSPK-së dhe APK-së, Esat Loshi, kryetar i sindikatave të pavarura të Kosovës, për sektorët e tregtisë, hotelerisë dhe turizmit.
Në një takim të organizuar të mërkurën nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) për rajonin e Pejës, më qëllim të trajtimit të problemeve të shfaqura pas privatizimit të ndërmarrjeve të këtij rajoni, ish-punëtorët e këtyre ndërmarrjeve, të cilët kanë mbetur pa punë, kanë nxjerr jashtë mllefin e tyre të akumuluar me vite, në pritje të marrjes së 20 përqindëshit, që iu takon pas privatizimit.