Përveç problemeve për klasifikimin në Bundesligë, te Energie Kotbus ekziston edhe një tjetër shqetësim: kontrata në skadencë e Ervin Skelës.
Megjithatë, mesfushori 32-vjeçar nuk i kushton shumë rëndësi këtij fakti. “Bisedat e para me drejtuesit e klubit për rinovim u zhvilluan në tetor, por unë preferova së pari të filloja përgatitjet me skuadrën. Për mua, kontrata nuk përbën asnjë shqetësim”, deklaroi fantazisti i Kombëtares shqiptare.
Ai konfirmoi dëshirën për të qëndruar te Kotbus, por kërkon që klubi t’i ofrojë të paktën tre vjet kontratë.
“Tashmë nuk jam më i ri dhe kjo mund të jetë kontrata ime e fundit si profesionist, shtoi vlonjati. Nëse klubi më ofron rinovim për dy vjet, me opsion edhe për një sezon të tretë, do të pranoja pa hezitim. Të luaj edhe në Ligën II? Do ta mbyllja me kënaqësi karrierën këtu. Besoj se Kotbus do të qëndrojë në Bundesligë, kemi ende shumë ndeshje përpara”.