Pasi që Mercedes ka paraqitur edhe fotografitë e reja të E-Class të ri dhe ka paralajmëruar premierën për panairin e automjeteve i cili mbahet gjatë muajit mars në Gjenevë, ka ardhur koha për të parë edhe videon e parë të limuzinës gjermane në aksion.
E-Class i ri, përveç dizajnit të ndryshuar tërësisht, eksterierit dhe enterierit i cili do të na lë pa frymë, ka fituar edhe një paletë të motorëve të avancuar me benzinë dhe naftë të cilët zhvillojnë më shumë kuaj fuqi me shpenzime më të vogla dhe emetim më të vogël të gazrave të dëmshëm.
Tre motorët e ri me naftë dhe nga katër cilindra fshihen pas shenjës 200 (136 KF), 220 (170 KF) dhe 250 CDI (204 KF) shpenzojnë vetëm 5.3 litra karburant në ciklin e kombinuar dhe përmbushin normat Euro 5. Derisa, i riu E350 Bluetec (231 KF), me naftë dhe gjashtë cilindra i cili do të paraqitet nën kapakun e E-Class në vjeshtë qysh tani përmbushë normat Euro 6 të cilat janë parashikuara për vitin 2014.
Është avancuar edhe paleta e motorëve me benzinë, prandaj E200 CGI me teknologjinë start-stop tani zhvillon 185 KF, me shpenzim mesatar prej 6.8 litrash në njëqind kilometra.
Mercedes ka publikuar edhe çmimet për E-Class kur automjeti të dal në shitje më vonë gjatë këtij viti. Modeli E220 në Gjermani do të kushtojë 41.590,50 euro, derisa E500 4Matic do të kushtojë 70.269,50 euro.