Lenovo ka paraqitur laptopin me dy ekrane LCD, që është një gjë e rrallë në botë kur bëhet fjalë për laptopët.
Qëkur ka marrë përsipër prodhimin e kompjuterëve nga IBM, Lenovo markën tregtare ThinkPad e ka zgjeruar në të gjitha llojet e mundshme të laptopëve, derisa IBM në formë konzervative mbahej vetëm për laptopët afarist.
Shembuj të zgjerimit të përmendur janë konkurrenti super i lehtë ndaj atij Air të kompanisë Apple, modeli X300 si dhe një seri jashtëzakonisht e fuqishme e kompjuterëve W700. Pikërisht me këta kompjuterë W700 Lenovo ka vendosur të shkojë deri në fund; bëhet fjalë për laptopin me dy ekrane.
Është e njohur që profesionistët, e veçanërisht ata që merren me grafikë, shpesh përdorin dy ekrane gjatë punës me kompjuter. Ekrani sekondar kryesisht shërben për mbajtjen e mjeteve të punës, derisa ai primar është sipërfaqe e punës.
Pikërisht një sistem të tillë ofron ThinkPad W700ds. Ekrani sekondar nxirret nga pjesa e prapme e kompjuterit dhe ka rezolucion prej 768 x 1.280 piksela. Monitori primar me diagonale është prej 17 inçësh dhe rezolucion 1.920 x 1.200 piksela.
Laptopi përmban procesor Intel Core 2 Quad, ofron instalim deri në tetë gigabajt të memories DDR3, kartela grafike Nvidia Quadro FX dhe disqe të forta në konfiguracionet RAID.
Pritet që W700ds do të kushtojë 3.600 dollarë amerikanë, respektivisht rreth 2.575 euro