Trajneri i Arsenalit, Аrsene Wenger, mendon se Manchester City do të mund ta thyejë këtë vit katërshen udhëheqëse të Premierligës, nëse sjell përforcime të mira gjatë janarit.
City është një prej klubeve më të pasura në Premierligë për momentin, dhe në fund të afatit kalimtar veror, me ardhjen e pronarëve të rinj, arriti të sjellë në radhët e veta edhe Robinhon nga Real Madrid.
“Këtë vit ekipet të cilat mund të befasojnë janë Manchester City, Tottenham dhe Portsmouth. Do të duhej të ishte shumë interesante, shumë e papritur. City ka shumë fuqi pasi që mund të paguajë shumë para”, ka thënë Wenger.
“Këtë vit, për herë të parë, afati kalimtar në janar do të jetë i hapur kur do të kemi luajtur vetëm 19 ndeshje. Kam pasur sezon kur kemi zhvilluar 24 ndeshje para afatit të janarit, ndërsa këtë vit pjesa e dytë e sezonit do të zgjasë më shumë”, shton Wenger.
“Ekipet do të mund të përfitojnë shumë me blerjet e reja në afatin kalimtar të janarit”, përfundon strategu francez.