Dy shoumenët më të njohur të botës shqiptare të spektaklit, përgatiten për një konkurrim të fortë mes tyre. E gjithë kjo do të fillojnë së shpejti në ekranet e dy televizioneve shqiptare, kur do të kemi mundësi të ndjekim 'live' këtë "ndeshje" mes tyre.
Të dy këta prezantues do të jenë të angazhuar në dy emisione më një format shumë të ngjashëm mes tyre, që do të jetë varianti shqiptar i emisioneve shumë të suksesshme italiane, si “Buona Domenica” ose “Domenica In”.
Ardit Gjebrea ka filluar emisionin e tij “E diela shqiptare” në Tv Klan në orën 13.30 dhe rreth gjysmë ore më pas, Adi Krasta do të startojë paralelisht një tjetër emision “E diela në Top-Channel”.
Krasta do të jetë i shoqëruar në këtë maratonë televizive (ku do të kombinohen elementë si muzikë, balet, humor, të ftuar të njohur, etj) nga dy figura të njohura femërore si Arbana Osmani dhe Xhemi Shehu, ndërsa Gjebrea ka zgjedhur në krah të tij bionden Artenisa Oxhaj.
Të dyja programet zgjasin deri rreth orës 19.30, ku do të përmbyllen për t’i lënë vendin edicioneve informative. Do të jetë pikërisht spektatori shqiptar nga shtëpia ai që do të vendosë për rezultatin; se kush nga këta dy moderatorë me emisionet e tyre do të fitojë “ndeshjen” dhe natyrisht dhe zemrat e publikut./Telegrafi/