Këngëtarja nga Shqipëria, Besa Kokëdhima, ka hyrë në finalen e madhe të festivalit rumun, nga i cili zgjidhet përfaqësuesi i këtij vendi për festivalin evropian të këngës “Eurosong”. Besa me këngën “Nothing’s Gonna Change” është në mesin e 24 pjesëmarrësve, të cilit do të prezantohen në natën finale që do të mbahet më 27 dhe 29 janar në Bukuresht. Kënga e Besës është autorësi e një kompozitori rumun me të cilin Besa bashkëpunon tash e sa kohë. Lidhur me këtë këngë për një ueb-faqe në Shqipëria, Besa ka deklaruar: “Në respekt të ftesës që më bëri kompozitori im, pranova që kjo këngë të paraqitet në konkurrimin rumun për “Eurovision”. Unë besoj se është një këngë shumë interesante. Sidoqoftë, dëshiroj të them se kënga "Ajër" e Alban Malës me të cilën u prezantova në festivalin e fundvitit në Shqipëri ishte një këngë shumë e bukur me motive të qarta shqiptare. Unë e interpretova me shume dëshirë atë këngë”. Kujtojmë që Besa Kokëdhima me këngën “Ajër” ishte pjesëmarrëse në festivalin e fundvitit në Shqipëri, në të cilin u rendit e katërta. Besa Kokëhdima me hit-këngën “Engjëjt vrasin njësoj” është kampione e edicionit të pestë të festivalit të muzikës moderne shqipe, “Top Fest”.