Trajneri i Italisë shprehet se ekipi më i mirë në kampionat është Juventusi
“Gatishmëria e Françesko Totit, për t’u rikthyer te kombëtarja është një tregues serioziteti, por për këtë vendos unë. Kështu që, siç e kam respektuar unë atë në të kaluarën, tani duhet të më respektojë ai mua!”
Deklaratat e kohëve të fundit të kapitenit të Romës, në lidhje me kombëtaren italiane, nuk duket se e kanë entuziazmuar më shumë se ç’duhet trajnerin e “axurrëve”, Marçelo Lipin. Tekniku ka folur për mundësinë e një rikthimi te të kaltrit të kapitenit verdhekuq, në një konferencë për shtyp të mbajtur në Firence, ku ishte i ftuar për një sfilatë mode.
KRYESUESIT - “Interi është ekipi më i fortë, janë kampionët në fuqi, ka organikën më të mirë, por, nëse do të fitojë titullin edhe këtë vit, do të djersisë deri në fund. Eshtë një kampionat shumë i vështirë, ku skuadra më e mirë, për mendimin tim, ka qenë Juventusi, pasi parashikohej që Interi të zhvillonte një kampionat në majat e renditjes, - ka shpjeguar trajneri i kombëtares italiane.
- Juventusi po zhvillon pothuajse një kampionat perfekt, ka bërë një paraqitje të shkëlqyer në fazën me grupe të Champions Ligës, duke dalë e para, me dy fitore të mrekullueshme kundër Realit të Madridit. Del Piero i befason të gjithë, por jo mua. Milani po rregullon disa gjëra, po rikuperon lojtarët e rëndësishëm. Sido që të shkojë kampionati, do të vendoset kur të rifillojë Champions Liga.
Për të përcaktuar ekipin zhgënjyes të këtij sezoni, pres fundin e kampionatit. Për Champions Ligën, duke përjashtuar Interin, Milanin dhe Juven, për vendin që mbetet, parashikoj një luftë midis Fiorentinës, Napolit dhe Xhenoas”.
BRAZILI - Pas më pak se një muaj, për Lipin do të vijë dhe një provë stimuluese kundër kombëtares braziliane të Dungës. “Nuk jam përballur kurrë me Brazilin, as si futbollist, është një sfidë që më tërheq shumë, edhe pse këtë vit, duke pasur parasysh impenjimin në Kupën e Konfederatave, mund të ndeshemi me ta tri herë, - ka thënë trajneri i kampionëve të botës në fuqi.
- Do të përpiqemi ta rifitojmë Botërorin, duke e ditur se do të jetë një punë shumë e vështirë. Ajo që ka më shumë rëndësi në këtë moment është forca e grupit, si dhe dëshira për të punuar e për të qëndruar gjithmonë bashkë.”