Presidenti i Realit ka prezantuar Van Nistëlroin pa e firmosur kontratën dhe ka paguar dyfish për Higuainin
“Mbretërimi” i Ramon Kalderonit, si president i Realit të Madridit,
ka marrë një tjetër goditje, sikur të mos mjaftonte kriza e skuadrës në
muajt nëntor-dhjetor. Ish-sekretarja e Kalderonit, Kristina Bermudez,
bëri të ditur për shtypin spanjoll disa nga gabimet e numrit 1 të
kampionëve të Spanjës. Kur Rud Van Nisltëlroi erdhi nga Mançesteri,
Kalderon nxitoi ta prezantonte në “Santiago Bernabeu”, edhe pse
futbollisti nuk e firmosi kontratën.
Bermudezit iu nis një mesazh nga Karlos Bukero, krahu i djathtë i
drejtorit teknik Predrag Mijatoviç, ku i thuhej se kishte një ndryshim,
në lidhje me pagesën e menaxherit të futbollistit. Në fillim ishte rënë
dakord për 1,5 milionë euro, por Mijatoviç vendosi që menaxheri të
merrte 1,2 milionë euro.
Kjo e shtyu për 24 orë firmosjen e kontratës ndërmjet dy palëve, por
gjatë kësaj kohe Kalderoni dhe Di Stefano po prezantonin Van Nistëlroin
para tifozëve. Nëse menaxheri nuk do të kishte pranuar 300 mijë euro më
pak, atëherë Van Nistëlroi mund të shkonte te të tjera klube që e
kërkonin dhe prezantimi do të shndërrohej në një “farsë qesharake”.
Gafa e dytë e Kalderonit ka të bëjë me blerjen e Gonzalo Higuainit
nga River Plejti. Sulmuesi argjentinas rezultoi një blerje e goditur
dhe po tregon aftësitë e tij gjatë këtij sezoni, por problemi është se
Kalderoni pagoi dyfishin e asaj që mund të pagonte.
“Në verën e vitit 2006 na erdhi një faks, ku kërkonin 6 milionë euro
nga shitja e Higuainit. Kalderoni nuk e shqyrtoi si mundësi, - tha
ish-sekretarja Kristina Bermudez. - Pas pesë muajve, në dhjetor,
Higuaini u ble për 14 milionë euro.”